Abstract:
Kjo kumtesë ka për qëllim të nxjerrë në pah disa nga tiparet kryesore që
përbëjnë aspektin programor në radiot shqiptare. Radiot lokale po përballen
me një sërë sfidash, të cilat reflektohen drejtpërsëdrejti edhe në cilësinë e
materialeve që dalin në transmetim. Puna me stafe të reduktuara ndikon që
prodhimet të bazohen më shumë në materiale të gatshme të marra nga
interneti, kryesisht në play-lista muzikore, sesa nga ideimi i programeve dhe
puna konkrete në terren. Gjithashtu, edhe në rastet kur ka programacion,
struktura dhe përmbajtja e programeve që emetohen i falet më shumë
spontanitetit, sesa strategjive që ndërtohen mbi bazën e nevojave të tregut,
që përftohen nga studimet dhe anketat. Kjo reflektohet në disa aspekte, të
cilat do të shtjellohen në këtë kumtesë.
Në vëmendje të kumtesës sonë do të kemi radiot lokale që operojnë në
Tiranë. Siç dihet, mes 71 operatorësh radiofonikë që ushtrojnë aktivitetin e
tyre emetues në Shqipëri, 65 prej tyre janë subjekte audio vendore. Sa i
përgjigjet licenca e tyre nevojave të komunitetit dhe sa arrijnë këto media të
mbulojnë me programacion të dedikuar për zonat e tyre të mbulimit? A është
sot radio gjeneraliste, apo uniformiste, ku të gjithë bëjnë thuajse të njëjtën
gjë? Rast studimor do të merren një sërë radiosh lokale në Tiranë, duke
paraqitur edhe statistika e të dhëna që lidhen me veprimtarinë e tyre
programore.