Abstract:
Kur flitet për mediat lokale, mendoj se duhet mbajtur parasysh se çdo
pretendim për nivelin dhe performancën e tyre aktuale në këtë treg të
tronditur nga zhvillimet teknologjike duhet riparë në sfondin e ecurisë së tyre
në rrafsh historik. I përmbahemi këtij koncepti duke u bazuar në idenë se ajo
nuk shfaqet papritmas si sfinksi, por ka një të shkuar. Pa shkuar thellë në
këtë drejtim pasi nuk është vendi për këtë, duam të vëmë në dukje se
periudha e viteve ‘25-‘39 në shekullin e kaluar na ofron një panoramë
interesante të mediave lokale – kryesisht shtyp i shkruar – që prezantoheshin
në tregun e kohës me fizionomitë e tyre ku vulën e linte niveli i zhvillimit të
qendrave ku botoheshin, qëndra që rrezatonin në rrafshin e kulturës për
shkak të përqendrimit të sistemit të edukimit (shkollat e mesme),
institucioneve fetare dhe forcave krijuese, shkurt elitat e vendit.
Periudha 1945 – 1990 karakterizohet nga mediat qendrore, që e nisnin
―rrugën‖ nga kryeqyteti, dhe gazetat e radiot lokale, që nga përmbajtja dhe
struktura e tyre jo vetëm ishin në hije, por edhe nga një vështrim i shpejtë i
përgjithshëm kuptohet se ishin një kopje e reduktuar e medias qendrore dhe
me të njëjtat tipare të brendshme: ideologjike, propaganduese, me mangësi të
dallueshme qartë informimi dhe me paraqitje skematike të zhvillimeve
rajonale. Thënë ndryshe, nuk mund të flitet për një media lokale të mirëfillte
me portret profesional të kristalizuar. Kjo panoramë trishtuese e medias
lokale, nuk mund të thuhet se ktheu faqe në periudhën e viteve ‗90të, ajo
thjesht gati u zhduk dhe aktualisht ajo çka ofrohet si e tillë është ndonjë
stacion radioje dhe kanale televizive me transmetime të zbehta dhe me
audienca shumë të kufizuara. Për më tepër, si kopje, ato synojnë influenca që
mund t‘i përftojnë vetëm në linjën komerciale. Zhvillimin e tyre e shohim si
një mundësi dhe prioritet në planin mediatik nisur nga mendimi se qytetet,
komunitetet e rajonet e vendit kanë nevojë për zërin e tyre, se përgatitja dhe
dalja në tregun e punës të kaq shumë studentëve të gazetarisë e komunikimit
mund të lehtësoje fazën e ngritjes e rritjes së saj dhe se ka ardhur koha që
vendi të ketë një shtyp lokal që nga ana e strukturës përmbajtësore mund të
ofrojë modele të ndryshme pasqyrimi si në kanalet klasike ashtu dhe në ato
të reja. Dhe gjejmë rast të rimarrim idenë e aspektit komercial për të theksuar
se ky faktor nuk mund të mos merret në konsideratë, por çështja është e
raporteve të tij me faktorët informim, njohje, zgjerim të horizontit kulturor
Përvojat botërore nuk mungojnë, përkundrazi madje, shtimi e fuqizimi i tyre
brenda sfondit të zhvillimeve të sotme janë një pikë orientuese për ta
instaluar e stabilizuar atë.