Abstract:
Shoqëria kosovare po përjeton një ndryshim të thellë social, i cili
ndikon në ndryshimin e strukturës familjare, së bashku me këtë po
ndryshon edhe institucioni i martesës. Tash martesa nuk është diçka e
shenjtë dhe deri te shkatërrimi i saj vihet për shkaqe të natyrave të
ndryshme si: emancipimi i femrës dhe punësimi i saj në një shkallë të
lartë, prezenca e ndërkombëtarëve, gjendja ekonomike, rritja e shkallës
së dhunës në familje, jeta dinamike ku partnerët nuk kanë kohë të
mjaftueshme t’ia kushtojnë njeri-tjetrit, mos lindja e fëmijëve, dukuritë
patologjike në shoqëri (alkoolizmi, narkomania etj).
Hulumtimi synon identifikimin e dukurisë së shkurorëzimeve e cila
fatkeqësisht prej vitit në vit është në rritje, dukuri kjo që po ndikon në
edukimin e fëmijëve, sidomos fëmijëve të nivelit parashkollor. Prandaj
ky hulumtim do të fokusohet në mbledhjen e të dhënave për rastet e
shkurorëzuara, numri i fëmijëve me prindër të shkurorëzuar dhe të
dhënat e tjera që mund të na sjellin indikacione për ndikimin e
dukurisë së shkurorëzimeve në edukimin e fëmijëve të nivelit
parashkollor.