Abstract:
Apologji e çështjes shqiptare e Masar Stavilecit[1] dhe Mosmarrëveshja e Kadaresë[2] janë dy vepra të shkruara në kohë, në rrethana dhe në hapësira të ndryshme, por të cilat përkojnë me njëra-tjetrën për shqetësimet e mprehta që ngrenë për popullin shqiptar. Përderisa i pari (Stavileci) ngre shqetësimin për gërryerjet nga jashtë dhe nga brenda si pasojë e moskoordinimit të brendshëm për interesa madhore, i dyti (Kadare) ngre shqetësimin për “gërryerjet” nga brenda nga vetë shqiptarët. Stavileci duke shkruar në kohën e para luftës në Kosovë (1999), ngre shqetësimin për dëmtimin zhvillimor kombëtar, shpirtëror, moral e psikik të trupit gjithëshqiptar si pasojë jo vetëm e vërsuljeve të huaja shoviniste, por edhe e oligarkisë dhe paaftësisë së klasës politike e intelektuale të shqiptarëve që, në gjendjet dramatike të popullit tonë, të tejkalojnë vetveten duke lënë prapa interesat e ngushta meskine politike dhe të afrojnë trungun e ndarë shqiptar. Ndërsa, Kadare (2010) ngre shqetësimin për pasojat se si disa individë gërryejnë vlerat identitare dhe shpirtin shqiptar.
Ndonëse të shkruara në kohë e rrethana të ndryshme gjeopolitike, të dyja veprat përkojnë në shqetësimin që ngrenë: ruajtjen dhe forcimin e integritetit fizik dhe shpirtëror shqiptar.