Abstract:
Shekulli 21 kërkon përpjekje serioze në të rishikuarit, zgjerimin, dhe pranimin në tërësi të nocionit të arsimimit të të rriturve. Arsimimi i të rriturve duhet t‘i sigurojë secilit qasje në dije dhe mësimi gjatë gjithë jetës dhe në këtë mënyrë secilit t’i krijojë mundësi për të shijuar zhvillimin kulturor, social dhe ekonomik. Sot, të rriturit ballafaqohen me sfida të veçanta që nga zhvillimi i teknologjisë dhe zhvillimi shkencor e deri te kërkesat e shtuara të jetës së shpejtë sociale. Prandaj, qëllimi i këtij punimi është të kuptohet më mirë rëndësia që ka për të gjithë arsimimi për të rritur: për individët, për organizatat dhe për shoqëritë duke përfshirë edhe shoqërinë e Kosovës. Ky punim shqyrton sfidat e arsimimit të të rriturve me të cilat përballet Kosova si një shoqëri në tranzicion.
Çdo vit, mijëra të diplomuar hyjnë në tregun e punës. Ata përballen me sfida nga më të ndryshmet siç janë përshtatja në ambientet e reja,të mësuarit për t’i treguar aftësitë e reja dhe qëllimin e karrierës së tyre dhe përpjekjet për të krijuar një identitet të tyre profesional.
Me përshpejtimin e ritmit të ndryshimeve në vendet e sotme të punës, është shtuar edhe nevoja për të krijuar mënyra të reja në përgatitjen e të punësuarve për t’i përmbushur këto sfida. Thënë ndryshe, shpërthimi në fushën e dijes dhe të teknologjisë informative kërkon që punonjësit të jenë të gatshëm dhe të aftë t’i ngërthejnë aftësitë dhe qasjet e reja. Të punësuarve u kërkohet të mësojnë vazhdimisht në vendet e tyre të punës në mënyrë që të sigurojnë vazhdimisht pjesëmarrjen e tyre. Shumë organizata e kanë inkurajuar mësimin e mëtejshëm si atë formal ashtu edhe mësimin joformal për të ndihmuar si organizatën ashtu edhe anëtarët e saj të përballen me ritmin e shpejtë të ndryshimeve. Kjo mënyrë e arsimimit po bëhet forcë e fuqishme në arsimin elementar dhe të vazhdueshëm të punonjësve të sotëm.
Prandaj, rëndësia e arsimimit të të rriturve për një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik,social, dhe kulturor të shoqërisë tonë është bërë prioritet dhe çështje kryesore.