Abstract:
Qëllimi i këtij studimi është që të tregojmë se si “puna krijuese” ose “produktet” e mësuesit ndikojnë drejtpërdrejt në performancën e nxënësit, te punët me shkrim. Nëpërmjet këtij studimi duam të tërheqim vëmendjen e të gjithë mësuesve të gjuhës shqipe dhe të letërsisë për të mos anashkaluar kërkesa dhe forma të rëndësishme të mësimdhënies, të cilat ndikojnë në formimin gjuhësor të nxënësve.
Aspektet që janë hulumtuar lidhen me temat e punëve me shkrim, të hartuara nga mësuesi; mënyrën e ndërtimit të tyre; shkallën e qartësisë dhe të kuptueshmërisë; përputhshmërinë e llojeve të shkrimit që realizojnë nxënësit me ato që kërkon programi lëndor. Aspekt tjetër i studimit, i lidhur ngushtësisht me të parin, janë komentet dhe shënimet vlerësuese që mësuesi u bën shkrimeve të nxënësve, si dhe përshtatshmëria e tyre për çdo nxënës.
Qasja jonë e përgjithshme është që të tregojmë nëpërmjet shembujve realë dhe të bindim mësuesit nëpërmjet analizave e komenteve se problemet e ndryshme në hartimin e temës sjellin shmangie të zbatimit të kërkesave të programit, prodhojnë lloje të ndryshme shkrimesh dhe sjellin keqkuptime e shqetësime në radhët e nxënësve, ndërsa shënimet dhe komentet e përgjithshme nuk ndihmojnë nxënësit në përmirësimin e tyre.
Besojmë se mendimet tona dhe përfundimet e studimit do të jenë ndihmesë për mësuesit e gjuhës shqipe dhe të letërsisë në zhvillimin e procesit mësimor.