Abstract:
Objekt i këtij studimi është raporti i medies me audiencën në Shqipëri dhe në Kosovë. Më tej, ai synon t’i studiojë raportet e televizionit, si mjet i komunikimit masiv me opinionin publik, mbi të gjitha duke e veneruar tendencën që televizioni të shndërrohet në mjet të kontrollit, përkatësisht të ndikimit në krijimin e gjykimit të pavarur. Emisionet televizive të tipit “talk shoë”, të pranishme në mediet televizive të Tiranës, do të trajtohen si emisione që shërbejnë në të njëjtën kohë edhe si fillimi i mbrojtjes publike për njerëzit e fuqishëm. Ky konstatim do të pasohet me përpjekjen për të dhënë përgjigje në pyetjet: a është tendenca për ta fituar “betejen publike” tendencë për t’ua imponuar audiencave “të vërtetën e pakontestueshme”? Cili është ndikimi medial në to dhe çfarë transformimi pësojnë mediet si rrjedhojë e mediatizimit të shoqërisë? Cila është marrëdhënia mes tyre dhe cili refuzimi a ndikimi reciprok? A e paraqet “spektakli shqiptar” gjendjen e tanishme të shoqërisë shqiptare, apo përbën shfaqje irealiste imazhesh të konstruktuara? Përtej kësaj, do të trajtohen mediet televizive në hapësirat tjera shqiptare, së bashku me ndikimin e tyre në krijimin e opinionit publik. Televizionet në Kosovë do të trajtohen si apatikë përsa u përket “talk-show”-ëve e botës së spektaklit dhe të dominuara nga ngjyrimet politike, të cilat e mbisundojnë diskursin kulturor. Opinionizmi televiziv përbën një karakteristikë tjetër të “spektaklit shqiptar” të cilin do ta trajtojë punimi. A përbën ai mekanizëm të medies për të “spektakëlzuar” opinionin publik, apo së bashku me medien përbëjnë instrument në dorë të “pushtetit” për ta kontrolluar e “konstruktuar” shoqërinë? Do të analizohen dukuritë e veçanta, karakteristike për medien shqiptare të Shqipërisë (dhe ndikimit të saj në shoqëri), për t’u përballur e krahasuar me dukuritë e veçanta të medies në Kosovë (bashkë me ndikimet e saj). Do të trajtohen raportet e televizionit me opinionin publik në Shqipëri, ndërkohë që tendenca për “spektakëlzim” të shoqërisë përmes shfaqjes së gjykimeve publike do të jetë thelb i trajtimit. Në Kosovë do të hetohet kryesisht synimi për zhvillim të “medieve të kontrollueshme”, përmes kontrollit të informacionit.