Abstract:
Ky studim ka për qëllim të shqyrtojë ndikimin e traumës dhe stresit të përsëritur në shëndetin mendor të veteranëve të luftës, duke u fokusuar në ndikimin e këtyre faktorëve në zhvillimin e çrregullimeve psikologjike si çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD), depresioni, ankthi dhe abuzimi me substanca. Përmes një qasjeje të pastër kuantitative, u përdorën dy pyetësorë të njohur ndërkombëtarisht, PCL-5 dhe DASS-21, për të matur simptomat e këtyre çrregullimeve te 100 veteranë të luftës nga Kosova.
Ky studim thekson se veteranët që kanë përjetuar trauma dhe stres të përsëritur gjatë shërbimit ushtarak janë më të rrezikuar për zhvillimin e simptomave të PTSD-së, depresionit dhe ankthit. Gjetjet e studimit tregojnë se këta veteranë kanë vështirësi të vazhdueshme në përballimin e jetës pas shërbimit, duke përjetuar izolim social, vështirësi në riintegrim dhe dëmtim të cilësisë së jetës. Ky hulumtim ka rëndësi të veçantë për Kosovën, pasi shton njohuritë mbi nevojat për mbështetje psikologjike dhe ndërhyrje të specializuara për veteranët, si dhe pasqyron boshllëqet në sistemin e shëndetit mendor dhe politikat ekzistuese. Kjo tezë gjithashtu synon të kontribuojë në zhvillimin e trajtimeve dhe strategjive më të efektshme për rehabilitimin dhe mbështetje të veteranëve, duke rritur ndërgjegjësimin për pasojat e luftës mbi shëndetin mendor dhe nevojën për ndërhyrje të vazhdueshme.