Abstract:
Krijimi i një klime të mirë në klasë arrihet nëpërmjet ndërlidhjes së lëndëve mësimore dhe aktiviteteve kreative me fëmijët, të cilat ndikojnë në motivimin dhe zhvillimin e kompetencave kryesore të të nxënit të tyre, me qëllim që të kuptojnë më lehtë botën që i rrethon. Andaj, si rezultat i bashkëpunimit mes institucioneve arrihet planifikimi dhe realizimi i praktikës nga studentët edukatorë me qëllim të vetëdijësimit të tyre për punën me fëmijë gjatë studimeve. Proces i rëndësishëm mbetet analizimi i punës së studentëve edukatorë gjatë marrjes së informacioneve teorike dhe realizimit të praktikës në institucionet parashkollore dhe klasat përgatitore në shkolla për motivimin e fëmijëve për të nxënë. Ky punim vë në pah punën e studentëve edukatorë në lëndët “Teori e Mësimit me Praktikë” dhe “Praktika Pedagogjike” për planifikimin dhe realizimin e aktiviteteve të ndryshme në bashkëpunim me edukatoret në institucionet parashkollore dhe klasa përgatitore. Andaj mendojmë se ndërlidhja e teorisë me praktikën ndikon në punën kreative të studentëve për motivimin dhe zhvillimin e fëmijëve. Analiza studimore është mbështetur në analizën e ditarëve e të portofoliove, si dhe në hulumtimet e prezantimet e studentëve edukatorë të Kolegjit AAB. Puna praktike është realizuar në institucionet parashkollore dhe klasat përgatitore për pesëmbëdhjetë javë nga studentët e vitit të dytë dhe vitit të katërt të Shkencave Sociale për vitin akademik 2017/2018.