Abstract:
Në Kosovë janë 82 radio dhe 21 televizione që kanë licencë deri në
fund të vitit 2016. Katër radio dhe tre televizione kanë frekuencë nacionale;
14 radio dhe 12 televizione janë rajonale dhe 64 radio dhe gjashtë televizione
janë lokale. Shumica e mediave elektronike lokale dhe rajonale transmetojnë
program në gjuhën shqipe, por disa transmetojnë program edhe në gjuhën
serbe, turke, rome. 56 TV të tjerë të licencuar, ofrojnë program vetëm
përmes operatorëve kabllorë. Rezultatet e një hulumtimi në shtatë rajone në
Kosovë, tregojnë se disa media lokale janë mbyllur dhe shumë të tjera
rrezikojnë të mbyllen, për shkak të gjendjes së keqe financiare dhe
infrastrukturës së dobët të tyre në përgjithësi. Ato operojnë me pak staf dhe
me kushte minimale për punë. Shumë prej tyre kanë statusin e Organizatës
Joqeveritare dhe sigurojnë financimin përmes projekteve.
Kriza financiare e këtyre mediave reflekton në të ardhurat për gazetarë
të tyre. Rrjedhimisht kjo ndikon edhe në konkurrencë dhe produktet që
ofrojnë. Një vështrim i faqeve të tyre në internet (disa që kanë), çon në
përfundim se ato nuk kanë produkte të veta, por japin informacione për
zhvillime në përgjithësi, duke u shndërruar në portale që i ngjajnë shumë
njëri tjetrit.
Në këtë punim, jam përqendruar të pasqyroj gjendjen aktuale të
mediave lokale në Kosovë, mënyrën e financimit të tyre, kushtet e punës,
numrin e punëtorëve dhe sfidat kryesore që mund të kenë.