Abstract:
Përdorimi i rrjeteve sociale nga ana e televizioneve rajonale në Kosovë
për informimin e publikut që ndodhet përtej rajoneve që u përkasin, është
tema e këtij punimi. Ndonëse në kuptimin klasik të fjalës, media lokale dhe
rajonale përfshinë interesin e lokalitetit dhe rajonit që mbulon, në ditët e
zhvillimeve të shpejta teknologjike, kjo duket se nuk ka kuptim. Mediat
lokale të licencuara pranë Komisionit të Pavarura për Media, emetojnë
program nëpërmjet rrjeteve kabllore duke mbuluar kështu hapësirë të gjerë të
territorit po aq sa mediat nacionale të cilat emetojnë edhe nëpërmjet rrjetit
tokësor. Zhvillimi i mediave lokale në përputhje me mundësitë online të
informimit është një proces tjetër, por që zhvillohet me hapa më të
ngadalshëm. Në këtë punim analizohet përmbajtja e lajmeve të postuara në
llogaritë e tri televizioneve rajonale në facebook si platformë më popullore
në Kosovë. Televizionet rajonale për të cilat bëhet analiza janë; TV Prizreni
dhe TV Opinion që mbulojnë rajonin e Prizrenit si dhe TV Tema në Ferizaj.
Nga metoda kualitative e hulumtimit rezulton se lajmet që prekin interesat e
banorëve lokalë dhe lajmet që për subjekt kanë aktivtetet e komunave
përkatëse përbëjnë kryefjalën e përmbajtjes. Por hapësirë gjejnë edhe lajmet
që kanë si burim informacioni të drejtpërdrejtë, drejtuesit e institucioneve
qendrore. Nga intervistat me drejtues të televizioneve, kuptohet se mediat
lokale nuk u kushtojnë shumë vëmendje shërbimeve online të informimit.
Kjo ndodhë për disa arsye, në plan të parë, vështirësitë financiare me të cilat
ballafaqohen, më pastaj edhe mungesa e burimeve njerëzore.