Abstract:
Çështja e të nxënit gjithnjë ka qenë dhe mbetet një ndër çështjet më të
rëndësishme të shoqërisë, prandaj çdo shoqëri, në çdo periudhë të
zhvillimit të saj ka pasur synim zhvillimin dhe ngritjen e cilësisë së
edukimit dhe arsimimit të brezave. Krahas rëndësisë së saj, të nxënit
konsiderohet si një proces i cili gjithnjë kërkon të zhvillohet dhe
avancohet me metoda të reja, sidomos sot kur teknologjia po zhvillohet
me përmasa të mëdha dhe kjo çdo herë e më shumë po ndikon në
nevojat e zhvillimit edhe në aspektet e tjera në përgjithësi dhe të
edukimit dhe arsimimit në veçanti.
Edhe pse edukimi konsiderohet një proces i cili nis me jetën e fëmijës,
faza më e hershme e edukimit institucional është faza e edukimit
parashkollor, programet e të cilit i referohen shërbimeve për edukim
dhe zhvillim të hershëm të ofruara në institucione parashkollore
publike, paralele parafillore, institucione të tjera parashkollore e familje.
Duke marr për bazë kurikulën e edukimit parashkollor, në theks të
veçantë, edukimit parashkollor për grupmoshat 5-6 vjeç, përmes këtij
hulumtimi synojmë të ofrojmë një pasqyrë lidhur me ndryshimet dhe
ngjashmëritë në mes të përkujdesjes dhe edukimit parashkollor të
fëmijëve në kopshte dhe shkolla në grupmoshat 5-6 vjeç. Në këtë
hulumtim do të fokusohemi në mbledhjen e të dhënave lidhur me
cilësinë e edukimit e posaçërisht të nxënit si proces edukimi në
institucionet parashkollore publike dhe private, kryesisht shkollat
(paralelet parafillore) dhe kopshtet me grupmoshën 5-6 vjeç dhe
krahasimi e të nxënit në këtë grupmoshë në kopshte dhe shkolla.