Abstract:
Debatet lidhur me lirinë e medies nuk kanë shteruar kurrë, gjatë gjithë historisë së medies, së shkruar e elektronike. Por, në periudha të ndryshme të historisë së saj, kufizimet e lirisë së shtypit janë shprehur më pak ose më shumë, në mënyrë më të vrazhdë apo në mënyrë më të butë, varësisht prej zhvillimeve shoqërore, politike, ekonomike, kulturore, etj.
Kureshtja profesionale më ka nxitur të bëj një hulumtim lidhur me përmasat reale të ndikimit dhe me format e ushtrimit të ndikimit ndaj gazetarëve e redaksive në Kosovë. Të dhënat e pyetësorëve tregojnë se ushtrimi i ndikimit ndaj gazetarëve është më i madh se sa percepcioni i jashtëm.
Nëpërmjet pyetësorit jam përpjekur të kuptoj edhe format e ndikimit dhe mënyrën e ushtrimit të tij. Nga përgjigjet del se ndikimi ndaj gazetarëve ushtrohet në mënyrë direkte apo indirekte, në formë të fortë (në trajtë të urdhëresës) apo në formë të butë (në trajtë të këshillës apo rekomandimit).