Abstract:
Ky artikull trajton rëndësinë që kanë mediat e pakicave, në vendet shumënacionale dhe shumëgjuhësore, siç është Mali i Zi, për informimin e popullatës pakicë dhe ruajtjen e identitetit kombëtar të tyre. Ai merret specifikisht me mediat në gjuhën shqipe, që ka veçantësitë e saj në raport me mediat e pakicave të tjera, qoftë edhe për shkak të veçorive gjuhësore. Ato luajnë rol të pazëvendësueshëm për prezantimin dhe ruajtjen e kulturës, gjuhës dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi. Artikulli ka për qëllim të analizojë aspekte të ndryshme në raportin e medias shqipe dhe kulturës kombëtare, si dhe ndërvarësinë e tyre. Në kushtet e prirjeve të sotme, kur kultura globale po i zë vendin gjithnjë e më tepër kulturës kombëtare, pyetja që shtrohet është se sa mund të mbijetojë ajo (kultura kombëtare)? Si rast studimi është marrë gazeta “Koha javore”, e vetmja e përjavshme në gjuhën shqipe që botohet në Mal të Zi. Njëra prej veçorive të saj është krijimi i hapësirës së përbashkët kulturore shqiptare. Artikulli mbron tezën se mediat në gjuhën shqipe në Mal të Zi janë faktor i rëndësishëm për zhvillimin e kulturës kombëtare, respektivisht identitetit kombëtar, duke qenë se interesimi i publikut këtu për çështje të tilla është parësor.