Abstract:
Vitet e tetëdhjeta filluan me çrregullime dhe tronditje të mëdha ekonomike dhe politike në disa shtete të Bllokut të Lindjes, si rezultat i vështirësive të mëdha të grumbulluara me vite e të cilat i ka sjellë socializmi si rend shoqëror në këtë pjesë të Evropës. Fillimi ishte në Poloni dhe më vonë valët e çrregullimeve arritën edhe në ish shtetin e quajtur Jugosllavi, por përmes Kosovës. Çrregullimet nuk kishin të ndalur, ato me kohë vijuan me shtrirje edhe në të gjitha shtetet e Evropës Lindore dhe më gjerë, deri te arritja e rezultateve të para konkrete në shkatërrimin e socializmit si rend shoqëror, në fillim të viteve të nëntëdhjeta në tërë Evropën Lindore dhe vetë BRSS (Rusinë) nga edhe e kishte zanafillën.
Description:
Se vërtetë diçka duhej të ndërrohej në Bllokun e Shteteve të Lindjes, ishte më së e qartë dhe më se e nevojshme, nga se ekonomia socialiste ishte dobësuar aq shumë sa i kishte humbur edhe ato rezultate që i kishte arritur dikur dhe kështu i kishte sjellë popujt në prag të ekzistencës. Analizat e asaj kohe rreth problematikës në fjalë, çonin ndër të tjera edhe te çështja e pronës si e pa definuar, nga se prona ishte e shtetit ose shoqërore (në ish Jugosllavi) e jo private si në shtetet kapitaliste ku ekonomia ecte shumë më mirë dhe kishte zhvillim intensiv.
Nën veprimin e këtyre rrethanave, në ekonominë e komunës së Gjakovës, në ecje janë bërë disa transformime organizative të ndërmarrjeve duke i paraprirë më vonë transformimit të mirëfilltë pronësor – privatizimit.
Punimi do të hedhë dritë:
– mbi atë që vërtet ka ndodhur gjatë këtyre dhjetë viteve në ekonominë e Komunës së Gjakovës
– mbi mënyrën se si është transformuar kapitali me ligj në praktikë dhe
– nga ana tjetër, vlerësimin e rezultateve të arritura në ato rrethana të zhvillimit të afarizmit në Kosovë.
Përndryshe, bazuar në të dhënat e siguruara nga ndërmarrjet e Komunës së Gjakovës, është temë që ka të bëjë me një periudhë të caktuar kohore të cilën deri me tani askush specifikisht nuk e ka trajtuar, analizuar apo vlerësuar nga ky aspekt. Nga ana tjetër është temë shumë e përfolur me vite, si para ashtu edhe pas luftës në Kosovë, në qarqet ekonomike dhe politike të vendit.
Meqenëse periudha dhjetë vjeçare 1990 – 1999 paraqet fundin e ish shtetit të Jugosllavisë dhe fillimin e konstituimit të shteteve të reja nga elementët konstituivë federativë të saj, ky punim ka rëndësi të veçantë.