Abstract:
Vetëcensura përbën një fenomen i cili në mënyra të ndryshme shoqëron jetën profesionale të çdo gazetari. Parë në mënyrën se si ajo ndikon, vetëcensura na shfaqet si diçka “e mirë” dhe “e keqe”. E mirë është kur ndikon në frenimin e pasioneve të individëve që shkojnë në kundërshtim me normat morale e sociale të shoqërisë, por është krejt ndryshe kur ajo kthehet në një sozi të individit e cila e ndjek, duke e vështruar prapa zverkut në tekst, e duke e paralajmëruar që ai të mos bëjë ndonjë gabim ideologjik.
Ky punim do të hedhë dritë mbi arsyet kryesore që çojnë gazetarët drejt vetëcensurimit dhe këto shtrohen në formën e pyetjeve kërkimore: Si vepron censura e vetëcensura te gazetarët?; Cilët janë faktorët që ndikojnë dhe i mbështesin ato?; Cilat janë pasojat e vetëcensurës ndër gazetarë e punonjës të medies?
Për realizimin e këtij studimi do të shfrytëzohen analiza të autorëve të ndryshëm, të mbështetur me fakte konkrete të ndodhura në ndërmarrjet mediatike.
Në fund të studimit do të ketë një qasje konkrete mbi arsyet kryesore që çojnë në vetëcensurimin e gazetarëve.