Abstract:
hpesh herë ndodh që gjatë procesit të mësuarit të një gjuhe të huaj, nxënësit nisen nga rregullat e gjuhës amtare për të formuluar idetë e tyre në gjuhën e huaj, duke mos e marrë parasysh faktin që aspektet gjuhësore ndryshojnë nga një gjuhë në tjetrën. Nisur nga ky konstatim, ky punim ka për qëllim të bëjë një analizë përqasëse duke demonstruar, si nga ana teorike dhe nga ana praktike, të përbashkëtat dhe dallimet e fjalisë kryefjalore në gjuhën shqipe dhe angleze nga këndvështrimi sintaksor. Në këtë punim do të shqyrtojmë mjetet gjuhësorë të përdorura për të shprehur fjalinë kryefjalore në të dyja gjuhët; tipologjinë strukturore të tyre (mjetet lidhëse); marrëdhëniet gramatikore të kategorisë së numrit dhe vetës, qofshin ato të drejtpërdrejta apo jo, që kjo fjali ndërthur me kallëzuesin e fjalisë kryesore të periudhës; si dhe rendi i saj në periudhë. Të përbashkëtat dhe ndryshimet të cilat do të vërejmë në këtë punim do të jenë me vlerë për dy target-grupe: për nxënësit e gjuhës angleze do të shërbejë si shembull ku do të vërtetohet se mos marrja parasysh e këtyre ndryshimeve gjuhësore në mënyrën e formimit të fjalisë do të na çonte në struktura gramatikisht të gabuara dhe për rrjedhojë do të krijonte pengesa në komunikimin ndërgjuhësor. Ky punim do t’i shërbejë gjithashtu studentëve të gjuhës angleze të cilët, këtë punim modest dhe aspak shterues, mund ta shtjellojnë me gjatë në punimet e tyre shkencore.