Abstract:
Rol të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit ka përshtatja e ndryshimeve strukturale, e mundësive dhe e kushteve të zhvillimit të bazuara në kërkesat e tregut për produktet dhe shërbimet e realizuara. Zhvillimi i industrisë dhe resurset natyrore janë të një rëndësie të veçantë në këtë drejtim. Industria i kontribuon më së shumti zhvillimit ekonomik dhe ndarjes së punës. Ajo krijon mundësi për rindërtimin dhe avancimin e degëve të tjera ekonomike si bujqësisë, komunikacionit, tregtisë e të tjera. Ndikimi i industrisë në transformimin e strukturës ekonomike dhe sociale të vendit është i lartë ose i dobët, varësisht nga niveli i zhvillimit të përgjithshëm ekonomik të vendit.
Ekonomia e Kosovës pas luftës është ballafaquar me sfida të mëdha, si pasojë e menaxhimit të dobët për një dekadë të tërë dhe e luftës shkatërrimtare. Megjithëkëtë, Kosova me sukses e kaloi fazën e rindërtimit, e cila ishte mjaft e vështirë. Fillimi i privatizimit, zhvillimi dinamik i sektorit privat në ndërmarrje të vogla dhe të mesme, me theks të veçantë sektori i prodhimit, nismat e para të procesit të integrimit me ekonominë e rajonit përmes nënshkrimit të marrëveshjes për tregti të lirë, inkuadrimi në Paktin e Stabilitetit si anëtare jo e barabartë, janë vetëm hapat e parë të proceseve të gjata dhe të rënda drejt zhvillimit të ekonomisë së tregut dhe integrimeve në institucionet rajonale dhe ndërkombëtare. Në periudhën e pasluftës, ekonomia e Kosovës ishte ekonomi konsumuese dhe nevojat e veta kryesisht i plotësonte nga importi, duke e përdor “keshin” si mjet pagese në mungesë të institucioneve të organizuara financiare. Struktura ekonomike e një vendi, për zhvillimin ekonomik, më tepër se cilido tregues tjetër paraqet kahet dhe realitetin zhvillimor. Pra, ajo trajtohet si gjenerator aktual në çdo kohë dhe në çdo shoqëri bashkëkohore.