Abstract:
Ky punim trajton sistemin politik paralel të krijuar në Kosovë gjatë viteve 1990 si një formë rezistence paqësore ndaj shtypjes serbe. Pas shfuqizimit të autonomisë në vitin 1989, shqiptarët u përjashtuan nga institucionet publike, duke nxitur krijimin e strukturave alternative në arsim, shëndetësi, kulturë dhe qeverisje lokale. Përkundër represionit të ashpër, përfshirë arrestimet masive të studentëve, popullsia u mobilizua për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për të siguruar shërbime bazë. Një nismë domethënëse ishte pajtimi i gjaqeve nga studentët. Tema e masterit analizon strukturën, funksionin dhe ndikimin e këtij sistemi në jetën sociale, kulturore dhe politike të Kosovës nën okupimin jugosllav.