Abstract:
Ky punim trajton rëndësinë e edukimit medial në arsimin parauniversitar në Kosovë, duke u përqendruar në sfidat, boshllëqet dhe potencialin e tij për të përmirësuar aftësitë kritike të nxënësve në epokën digjitale. Edukimi medial, si pjesë e kompetencave të shekullit XXI, konsiderohet thelbësor për t’u përballuar me sfida si dezinformimi, privatësia online dhe ndikimi i mediave sociale. Përmes një analize të përmbajtjes së librave të Edukatës Qytetare dhe të dhënave të mbledhura nga pyetësorët dhe intervistat me nxënës dhe mësues, ky studim nxjerr në pah mungesën e materialeve të përditësuara, trajtimeve praktike dhe trajnimeve për mësuesit.
Rezultatet tregojnë se shumica e nxënësve kanë vështirësi në dallimin e informacionit të besueshëm dhe ndihen të ndikuar negativisht nga mediat sociale, ndërsa mësuesit raportojnë mungesë të burimeve dhe përgatitjes për trajtimin e këtyre temave. Krahasuar me praktikat ndërkombëtare, edukimi medial në Kosovë mbetet i kufizuar dhe i fragmentuar.
Punimi përfundon me rekomandime për rishikimin e kurrikulës, zhvillimin e materialeve të reja dhe ofrimin e trajnimeve të specializuara për mësuesit, si dhe ndjekjen e një qasjeje të integruar për implementimin e edukimit medial në sistemin arsimor. Përmirësimi i këtij komponenti do të kontribuojë në ndërtimin e një shoqërie më të informuar dhe më të qëndrueshme në Kosovë.