Abstract:
Territori i Kosovës ka ofruar material të konsiderueshëm arkeologjik, i cili, i kombinuar me të dhënat e burimeve të shkruara antike, mundëson konstatimin se banorët e parë të njohur të saj ishin ilirët (Herod. Historiae IV 49), rrjedhimisht dardanët, të krijuar nga gërshetimi i substratit neolitik dhe të adstratit eneolitik indoevropian. Formësimi i plotë i dardanëve u zhvillua gjatë epokës së hekurit (1200-400), kur dardanët krijuan territorin e tyre kompakt dhe i dhanë vendit emrin Dardania.
Kosova përbënte territorin qendror të Dardanisë, e cila shtrihej në hapësirën midis lumenjve Vardar, Dri, Moravë dhe Timok.1 Zhvillimi paraurban dardan i shekujve VI-IV solli krijimin e shtetit dardan dhe bashkë me të dhe identitetin dardan, të ruajtur deri në periudhën bizantine.