Abstract:
Ky punim paraqet gjendjen e sigurisë së gazetarëve në Republikën e Kosovës duke studiuar rastet e dhunës fizike në periudhën kohore 2017-2021.
Punimi është mbështetur në dokumente ndërkombëtare për sa i përket kontekstit teorik që nga dokumentet e para sikurse Deklarata e Përgjithshme mbi të Drejtat e Njeriut e vitit 1948, dhe dokumentet e tjera përmes së cilave secili shtet demokratik obligohet që përmes ligjeve të mbrojë lirinë e shprehjes, dhe rrjedhimisht të mbrojë edhe gazetarët të cilët raportojnë lidhur me dukuritë në shoqëri (Universal Declaration of Human Rights,1948).
Republika e Kosovës ka një mori ligjesh të cilat janë në përputhje me ligjet e Bashkimit Evropian për sa i përket garantimit dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes.
Përkundër të gjitha ligjeve në fuqi të cilat mbrojnë gazetarët dhe punën e tyre, në Kosovë siguria e gazetarëve mbetet e brishtë. Duke parë situatën e përgjithshme dhe ndikimet e rrethanave të ndryshme si politike, ekonomike dhe sociale në Republikën e Kosovës, gazetarët sfidohen çdo ditë nga palë të ndryshme. Gazetarët në Kosovë ballafaqohen edhe me kushtet jo të volitshme të punës duke mos pasur mundësi që ta kryejnë misionin e tyre të shenjtë.
Sipas statistikave të ofruara nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), gjatë periudhës 2017-2021 janë evidentuar gjithsej 196 raste të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve. Në vitin 2017 kanë ndodhur gjithsej 24 raste, në vitin 2018 janë regjistruar 17 raste, në vitin 2019 kanë qenë 19 raste, në vitin 2020, 24 raste, dhe në vitin 2021 janë regjistruar gjithsej 29 raste të kërcënimeve dhe dhunës ndaj gazetarëve (AGK, 2017-2021). Përmes
intervistave të thella me gazetarët të cilët janë kërcënuar dhe i janë nënshtruar çfarëdo lloj
dhune, janë paraqitur 10 raste të cilat kanë ndodhur gjatë periudhës 2017-2021. Këto raste janë përshkruar në detaje, duke nxjerrë në pah arsyen e kërcënimit apo sulmit fizik, dyshimin se nga kush janë kërcënuar, dhe ndikimin që e kanë pasur në punën e tyre profesionale.