Abstract:
Ky studim trajton teorinë e rendit natyror të përvetësimit të gjuhës amtare, e cila tregon se ekziston një rend i caktuar i përvetësimit të trajtave dhe të morfemave të ndryshme gramatikore të gjuhës amtare, por edhe të gjuhës së dytë / të huaj. Gjuhët e mëdha botërore kanë studiuar renditjen e përvetësimit të morfemave dhe të trajtave gramatikore, ndërkaq deri tash nuk ka pasur një studim të kësaj natyre për gjuhën shqipe. Një studim i tillë do të ndihmonte për përmirësimin e përvetësimit të gjuhës amtare, për organizimin e kurrikulës së gjuhëve në shkolla dhe do të ndikonte për mësimin e gjuhës shqipe si gjuhë e huaj. Në hulumtim kanë marrë pjesë më se 100 hulumtues të rinj, të cilët kanë vëzhguar për dy javë më se 200 fëmijë të katër grupmoshave në spektrin prej 0-11 vjeçare. Vëzhgimi ka mbledhur material natyralist joeksperimental për të konstatuar ekzistimin e rendit natyror të përvetësimit të gjuhës shqipe si gjuhë amtare. Studimi ka konstatuar ekzistimin e një rendi të tillë në përputhje me teorinë e procedimit, e cila nënkupton përvetësimin gradual prej trajtave më të thjeshta kah ato më komplekse. Një gjetje e paplanifikuar e studimit ka qenë roli i dialektit dhe i të folmeve në procesin e përvetësimit të gjuhës shqipe. Njëkohësisht, studimi nuk ka arritur ta dallojë dhe të përcaktojë më saktësisht rolin e shkollës dhe të mjedisit në procesin e përvetësimit të gjuhës shqipe.