Abstract:
Komunikimi publik i pushtetit lokal është një pikë kyçe dhe mjaft e rëndësishëme në zhvillimin e politikave të vetë pushtetit. Zhvillimi i marrëdhënieve me publikun përveç kostos më të ulët që ofron në realizimin e qëllimit të politikës karshi qytetarëve, krijon edhe një afinitet dhe besim mes qytetarëve dhe politikës.
Ky hulumtim shtjellon dhe vë në pah rëndësinë që ka komunikimi në marrëdhëniet midis qytetarëve dhe pushtetit lokal të komunës së Fushë Kosovës, pra marrëdhënieve me publikun (PR-it të komunës). Informimi publik në një shoqëri demokratike është thelbi i vetë demokracisë së atij vendi.
Krijimi i një urë lidhëse ndërmjetë qytetarëve dhe pushtetit lokal të komunës së Fushë Kosovës përmes zyrës së komunikimit, publikimeve në rrjetet sociale, billbordeve dhe programeve mediatike ka arritur që te qytetarët të reflektojë si një pushtet transparent dhe i qasshëm për informacionet dhe kryetari i komunës së Fushë Kosovës z.Burim Berisha në vazhdimësi përçon mesazhe tek publiku me qëllim që të ushtrojë një komunikim politik, për t'i informuar ata, ndikuar, bindur dhe më pas për t'i nxitur për të vepruar. Ky veprim nënkupton që në kohë zgjedhjesh qytetari të zgjedhë atë individ apo parti. Pra, një komunikim i pastër politik me qëllim të rritjes së imazhit të individit dhe organizatës politike që e drejton komunën.
Ky lloj komunikimi mund të jetë i drejtpërdrejt ku përfshihen takimet, bisedimet me palët, tubimet e ndryshme pjesëmarrja në evenimente etj, dhe përmes kanaleve të komunikimit masiv, mediave.
Të gjitha këto komunikime kanë për qëllim të informojnë publikun për punët dhe angazhimet e komunës me qëllim të ndikimit , duke përdorur strategji dhe kanale të ndryshme komunikimi.
Në këtë hulumtim janë shfrytëzuar instrumente dhe rrugë që na sjellin rezultate të qëndrueshme të verifikuara. Janë përdorur metodat e kombinuara ajo kualitative dhe ajo kuantitative. Nëpërmjet metodës kualitative, ne kemi realizuar intervista të thella sociologjike me zëdhënësin e komunës, kryetarin, si dhe janë mbikëqyrur brenda periudhës gjashtë mujore (1 janar- 30 qershor 2017) të gjitha postimet e bëra në web faqen e komunës. Kemi monitororuar publikimet e komunës së Fushë Kosovës në media të ndryshme. Gjithashtu kemi monitoruar edhe faqen e Facebook-ut të komunës, duke parë se çfarë postimesh bëhen aty, duke i bërë analizën e përmbajtjes së postimeve, si kombinohet teksti-fotoja, videoja në këto postime.
Gjithashtu kemi analizuar se cilat janë reagimet e publikut/qytetarëve në këto postime,saështë përqindja e miratimit apo pëlqimit e shpërndarjes (share)etj.
Ndërsa për të parë se cili ëshë efekti i strategjive të ndryshme informuese dhe komunikuese të komunës, nëpërmjet metodës kuantitative kemi realizuar pyetësorët ku kemi anketuar rreth 200 qytetarë të komunës së Fushë Kosovës të moshave dhe vendbanimeve të ndryshme me të drejtë vote, ku kemi mbledhur të dhënat të cilat i japin përgjigjje një pjese të këtij raporti të komunikimit. Kjo ka të bëjë me vërtetimin e hipotezes kryesore se individët “aktiv” në shoqëri apo në mjediset e tyre mikrosociale ku liderët (lokal) të opinionit kanë më shumë ndikim sesa informacioni që e marrin qytetarët nga mediat dhe të cilat informacione kanë të bëjnë me çështjet komunale.
Qëllimi i punimit është që në të ardhmen të jetë nje kontribut studimor rreth kanaleve të komunikimit mes institucioneve lokale dhe publikut, me qëllim që të promovohen praktika sa më të mira të realizimit të komunikimit mes të dyja palëve.
Gjithashtu ky punim synon që të identifikohen dhe vlersohen në mënyrë kritike format dhe përmbajtja e mesazheve që jepen nga zyrtarë të kësaj komune karshi qytetarëve. Qëllimi i hulumtimi është po ashtu të ndihmoj edhe komunat e tjera rreth komunikimit me qytetarë, pra të shërbejë edhe si bazë për komunikim për organizatat dhe individët e tjerë që kanë përgjegjësi ndaj atyre që përfaqësojnë.
Ky studim është i ndarë në kapituj, ku si tërsi përmbanë gjithsej pesë të tillë.Në kapitullin I shpjegohen nocionet shkencore nga studiues të ndryshëm që flasin për një komunikim të tillë. Gjithashtu bazuar në referenca apo kërkimeve bibliografike, bëhet një shqyrtim i hollësishëm i punimit rreth komunikimit politik dhe akterëve të komunikimit. Në këtë kapitull flasim pse është kaq i rëndësishëm komunikimi mes qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre si dhe pse synojnë organizatat, e në këtë rast komuna të ketë një komunikim të drejtpërdrejt me qytetarët e saj?
Kapitulli II është i fokusuar në shpjegimin e marrëdhënieve politike si dhe flet rreth realizimit të tyre edhe në praktikë. Në këtë kapitull jepen shpjegime edhe rreth menaxhimit të informacionit publik, gjithashtu kemi përmendur edhe propagandën që jo rrallëherë është pjesë e informacioneve drejtuar qytetarëve. Pjesë e këtji kapitulli është edhe tema për liderin (lokal) të opinionit.
Kapitulli III i kushtohet pjesës së komunikimit të realizuar përmes kanaleve të ndryshme të komunikimit. Jemi ndalur te komunikimi strategjik i komunës me qytetarë, gjithashtu edhe tek komunikimi mediatik i pushtetit lokal të komunës së Fushë Kosovës. Jemi përqëndruar kryesisht edhe tek rrjetet sociale me theks të vaçantë tek facebook-u i komunës së Fushë Kosovës, ku kemi përcjellë dhe analizuar postimet e bëra p.sh cilave ngjarje iu është dhënë përparësi më shumë për promovim në këtë rrjet social,pastaj kemi shikuar edhe rreth numrit të pjesëtarëve që janë anëtarë në këtë faqe (friends), numri i pëlqimeve (like),etj. I gjithë hulumtimi rreth rrjetit social facebook të komunës është bërë gjatë një periudhe kohore janar – qershor 2017.
Në kapitull e IV shpjegohen të gjeturave nga hulumtimi përmes pyetësorëve të cilët u janë drejtuar qytetarëve të komunës së Fushë Kosovës, të të dyja gjinive, moshave të ndryshme me të drejtë vote, komuniteteve të ndryshme si dhe banuesve të zonave të ndryshme të komunës së Fushë Kosovës.
Ndërsa kapitulli i V dhe i fundit i këtij studimi, përfshinë pjesën përmbyllëse të studimit, pra përfundimin e tij. Gjithashtu edhe rekomandimet të cilat kanë dalë nga ky studim me qëllim qët’i shërbejnë edhe pushtetit lokal në të ardhmen për gjetjet në terren lidhur me peshën që ka komunikimi për realizimin e dyanëshëm ndërmjet pushtetit lokal dhe qytetarëve të komunës së Fushë Kosovës.