Abstract:
Shekulli i ri me dinamikën e marrëdhënieve ndërkombëtare, ka sfiduar teoritë, siç i quante Popper ‘strikte universale’ dhe nevojën për shpjegime teorike ‘numerike universale’. Shekulli XX ka zhvilluar teoritë e marrëdhënieve ndërkombëtare, por sot këto teori janë në betejë me ndryshimet e shpjegimeve sesa me zgjerimin e kuadrit teorik. Nevoja për shpjegime të reja, nuk i hedh poshtë teoritë e vjetra, vetëm kërkon që aksiomat e tyre të jenë më inter-teorike dhe me variabla të rinj, që shpjegojnë rrjedhën e veprimeve të paramenduara të aktorëve shtetërorë deri në qëllimin e caktuar. Pra, ky ndryshim teorik dhe marrja e disa aksiomave realiste, duke shtuar variabla inter-teorike (pragmatizmin, analizën e politikës së jashtme, realizimin ofensivë, dhe realizimin defensivë) na dërgon te një teorizim që e kemi quajtur “diplomacia merimangë”.
Almond në vitet ’60 konsideronte se “me rënien e normave dhe traditave të shkencave politike, është rritur nevoja për teori dhe teoricienët politikë”, ku edhe sot hasim në gjendjen e njëjtë për shpjegimin e rrethanave të reja gjeopolitike dhe gjeostrategjike. Nëpërmjet “diplomacisë merimangë” tentojmë të bëjmë studime empirike, induktive, të mundshme dhe të testueshme bazuar në tri iniciativa të subjekteve ndërkombëtare (nga aktorët shtetërorë te aktorët joshtetërorë; nga aktorët shtetërorë te aktorët e tjerë shtetërorë dhe, mikst).
Me këtë hulumtim kemi analizuar shkaqet dhe kronologjinë e një rrjeti diplomatik, shtrirjen që po tenton ta bëjë Rusia sot dhe Serbia ndaj shtetit të ri të Kosovës. Por, për ilustrim kemi marrë edhe një shembull nga e kaluara, një nga luftërat e Izraelit me vendet arabe. Ne kemi gjetur rezultate të verifikueshme, pragmatike dhe analitike që e provojnë skemën e “diplomacisë merimangë”.