Abstract:
Imazhi është një dukuri që gjithmonë ka përbërë interes për qeniet njerëzore megjithëse në vitet e fundit është shndërruar në çështje primare. Ajo se çfarë të tjerët mendojnë për ne apo edhe se çfarë ne mendojmë për ata, është në të vërtetë baza e ndërveprimit në përditshmërinë tonë. Në këtë punim imazhin do ta shohin përtej nivelit ndërpersonal, do të synohet të shpjegohet rëndësia e imazhit të një vendi si pjesë e diplomacisë publike të një vendi. Qëllimi i këtij punimi është të kuptohet mënyra se si ka ndikuar në imazhin e Shqipërisë mbulimi mediatik i shenjtërimit të Nënë Terezës. Pyetja kërkimore që shtrohet këtu është se çfarë qasjeje kanë pasur mediat italiane kundrejt Shqipërisë në pasqyrimin e tyre. Për këtë punim janë përzgjedhur gazetat kryesore italiane: Corriere della Sera, La Stampa dhe La Repubblica, brenda një dyvjeçari ku janë analizuar 41 artikuj të botuar për Nënë Terezën.
Gjetjet dëshmojnë se këto tri gazeta kanë pasur një mbulim të madh mediatik dhe në të shumtën e rasteve nuk kanë fshehur origjinën e shenjtores Nënë Terezës, duke e shkruar ndonjëherë edhe në titull që ajo ishte shqiptare. Një ngjarje e tillë siç ishte shenjtërimi i një personi me vlera të fuqishme universale, ndikon pozitivisht në imazhin e shqiptarëve në botë.