Abstract:
Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 u bazua në të ashtuquajturën “Pako e Ahtisarit”, e cila u përgatit nga i dërguari i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari. Kushtet themelore të kësaj “pakoje” kishin të bënin me natyrën demokratike dhe multietnike të shtetit të Kosovës, ndërsa në mënyrë të veçantë ato lidheshin me garantimin e të drejtave të pakicave kombëtare ose siç i referohet dokumenti “komuniteteve pakicë”. Kjo pako prezumon se nëpërmjet decentralizimit të qeverisjes lokale dhe themelimit të komunave të reja ku jetojnë pakicat, të garantohet vetëqeverisja, si proces i pranimit dhe integrimit të tyre në shtetin e Kosovës. Qëllimi i këtij punimi është të argumentojë se decentralizimi dhe themelimi i komunave të reja, veçanërisht për komunitetin serb në Kosovë, më shumë se sa të ndihmojë në vetëqeverisje, ka çuar në dezintegrimin dhe izolimin e tyre, duke thelluar akoma më shumë ndarjen me shumicën etnike në Kosovë. Marrëveshja për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe e arritur në gushtin e vitit 2015 në Bruksel demonstron tendencën e komunave serbe për t’u lidhur me njëra-tjetrën në një entitet autonom politik, si fazë paraprake drejt bojkotit të përgjithshëm të shtetit të Kosovës.