Abstract:
Një nga dilemat e transparencës mes publikut dhe Parlamentit është pikërisht raporti i komunikimit mes Parlamentit, si institucioni më përfaqësues politik i publikut (sovrani) dhe shoqërisë civile, organizatave joqeveritare (që pretendojnë se përfaqësojnë interesat e publikut). Në komunikimin parlamentar , marrëdhëniet me OJQ-të janë një eksperiencë relativisht e re (pas viteve 2000), e cila ka ardhur duke u përafruar me cilësitë e eksperiencave ndërkombëtare. Produkti i kësaj marrëdhënieje, më tepër se një proces informimi për publikun, apo dhe transmetimit të problematikës së tij në aforën e Parlamentit, ka ndjekur më së shumti vektorin e “një strategjie mediatizimi”, si pjesë e publicitetit të marrëdhënieve me publikun nga të dy palët. Në këtë trajtesë shkencore, në fokus do të jetë komunikimi Parlament–OJQ në zbërthim të dilemave të informimit të publikut nga njëra anë dhe, rolit të transparencës apo llogaridhënies parlamentare nga ana tjetër, si pjesë e marrëdhënieve publike të vetë institucionit. Opinioni i mediave si aktor kyç në informim, konsiderohet i nevojshëm në vlerësimin e komunikimit Parlament- Shoqëri civile. Në këtë pikëpamje, raporti i komunikimit Parlament–OJQ, vjen si problematikë ende e pazgjidhur në përcaktimin e termave të informimit apo marrëdhënieve me publikun, ku përfshihet dhe marketingu politik, si pjesë e kësaj strategjie. Tema do të përfshijë trajtimin e të dhënave dokumentare, tregues statistikorë, të integruar, me interpretim dhe cilësime nga përfaqësues të të dyja palëve dhe gazetarëve që mbulojnë aktivitetin parlamentar