Abstract:
Tradicionalisht, deri me shfaqjen e mediave të reja, marrëdhëniet publike të aktorëve politikë dhe ekonomikë ndikoheshin nga masmedia. Kjo për faktin se ato kishin rolin kryesor të ndërmjetësimit me audiencat dhe votuesit. Si rezultat i shfaqjes dhe popullarizimit të mediave të reja dhe rrjeteve sociale, ky rol filloi të zbehet dukshëm. Përderisa mediat tradicionale shërbenin si urë lidhëse ndërmjet këtyre palëve, rrjetet sociale sot shërbejnë si platformë online dhe janë një mjet efektiv i komunikimit direkt me audiencat e targetuara. Duke pasur një kosto të ulët, lehtësi në përdorim si dhe multimedia në dispozicion të përdoruesve, rrjetet sociale po ndikojnë në demediatizimin e marrëdhënieve publike. Facebook-u, si një nga rrjetet sociale më të popullarizuara, po përdoret nga politikanët për të komunikuar dhe për të ndërvepruar me ndjekësit dhe votuesit potencialë. Në Kosovë politikanët përdorin Facebook-un dhe janë mjaft active në promovimin personal politik, për lansimin e fushatave si dhe diskutimeve për çështje të caktuara. Ky punim synon të analizojë këtë dukuri dhe të krahasojë praktikën e përdorimit të Facebook-ut nga figurat kyçe të liderëve kryesore politikë të pozitës dhe opozitës, si dhe ndikimin që ka në procesin e demediatizimit të marrëdhënieve publike.