Abstract:
Për disa dekada televizioni komercial është mbështetur në reklamën tridhjetë sekondëshe si burimi kryesor i të ardhurave. Avancimi teknologjik krijoi kushtet që televizionet dhe reklamuesit të aplikonin strategji dhe modele të reja reklamimi të tilla si: vendosja e produktit/markës, integrimi i markës, branded entertainment (argëtim nëpërmjet markës), reklamat e fshehura, advertoriali, etj. Këto praktika përveç shkrirjes së kufijve tradicionalë mes reklamës dhe përmbajtjes mediavetike kanë prodhuar efekte pozitive dhe negative njëkohësisht. Pyetjet kërkimore që shtrohen në këtë studim janë: si ndikojnë këto taktika reklamimi në përmbajtjen mediavetike audiovizive? Çfarë deformimesh/devijimesh shfaqen në mediave gjatë zbatimit të tyre? Cili është roli dhe ndikimi i reklamuesve të mëdhenj në marrëdhënien e deformuar midis informacionit masiv dhe praktikave marketing/marrëdhënie publike? Në fokus janë televizionet informative “News 24”, “Abc News”, “Ora News” dhe “Top News” krahasuar me televizionet kombëtare gjeneraliste “Top Channel”, “Tv Klan” dhe televizionin “Vizion Plus”. Meqenëse operatorët audiovizivë vazhdojnë të kenë probleme me deklarimin zyrtar të treguesve sasiorë të reklamës, për realizimin e studimit jemi mbështetur kryesisht në intervista të thelluara të realizuara me drejtues të departamenteve të marketingut të televizioneve, gazetarë, vëzhgime si dhe në raportet e publikuara nga AMA (Autoriteti i Mediaveve Audiovizive). Nga studimi rezulton se si televizionet gjeneraliste kombëtare dhe televizionet informative nuk kanë shumë dallime për sa i përket formave të reja të reklamave që transmetojnë; në televizionet gjeneraliste krahas reklamave tridhjetë sekondëshe ka një rritje dhe keqpërdorim të vendosjes së produkteve gjatë programeve si një mënyrë e fshehur dhe abuzive e komunikimit me natyrë tregtare, ndërsa në televizionet informative spikat dukuria e transmetimit të kronikave me pagesë në edicionet informative, një tjetër formë kjo e reklamimit të fshehtë. Abuzimi dhe përdorimi i termit “mesazh promocional” është një tjetër tipar i përbashkët i subjekteve televizive. Të gjendur nën presion financiar duket se drejtuesit e mediave e kanë përqendruar më shumë vëmendjen tek thithja e reklamave/gjenerimi i të ardhurave se sa tek cilësia dhe hapësira informative.