Abstract:
Nga raportimi i televizioneve kryesore Shqiptare, ato kombëtare, Top Channel e TV Klan dhe ai satelitor-kombëtar, Vizion Plus, vërehet mbizotërimi i lajmeve politike, të cilat burim kryesor të tyre kanë zyrat e shtypit të partive politike dhe ato të administratës. Në pjesën dërrmuese kronikat televizive kanë të njëjtin informacion dhe material filmik. Ndryshimi i vetëm janë nuancat raportuese në varësi dhe të linjës editoriale të televizioneve në fjalë. Po si qëndron raportimi në portalet online të këtyre mediave tradicionale. A ka ndryshim në publikimin e këtyre informacioneve apo këto website janë një zgjatim i informacioneve të edicioneve informative të këtyre televizioneve? Sa diktohet lajmi i publikuar në këto agjenci lajmesh nga audienca në linjë dhe si qëndron raporti mes tre koncepteve “churnalism”, “journalism” dhe “advertorial”? Ky punim do të realizohet përmes monitorimit të informacioneve të publikuara në adresat e internetit të këtyre televizioneve, intervistat me drejtuesit e redaksive të këtyre portaleve dhe literaturës bashkëkohore me autorë vendas e të huaj.