dc.description.abstract |
Globalizmi është definuar si proces ekonomik, politik, shoqëror dhe kulturor, efekti i të cilit është ndikimi në nivel gjithë-botërorë përkatësisht, gjithëpërfshirës. Nga ky përkufizim, rrjedh se ky proces është shumëdimensional; ka përfshirë globin, nga këndvështrimi fizik dhe krahas kësaj, ka ndikuar në mënyrë gjithëpërfshirëse në pothuajse, në mos jo të gjitha, sferat e jetës së njeriut dhe të shoqërive në tërësi. Si i tillë, konsiderohet edhe i pashmangshëm.
Me gjithë anët pozitive të cilat i sjellë procesi i globalizimit, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin teknologjik i cili mundëson “zvogëlimin” e rruzullit në kohë dhe në hapësirë, në mënyrë të pashmangshme ky proces sjell edhe pasoja të caktuara, të cilat gjithsesi, janë negative. Si rezultat i kësaj, kanë lindur edhe tendencat dhe pozicionime diametralisht të kundërta; në njërën anë përkrahësit absolutë të këtij procesi dhe në anën tjetër, kundërshtarët absolutë të këtij procesi.
Është më se e vërtetë se globalizmi ndryshon marrëdhëniet, jo vetëm ato politike dhe ekonomike, por edhe ato shoqërore dhe kulturore. Në këtë kuptim, globalizmi manifestohet edhe në sferën shkencore dhe gjuhësore. Kjo është më se e dukshme edhe në hapësirën shqiptare, në të cilën ky ndikim është jashtëzakonisht i shprehur.
Në shkencën e të drejtës penale dhe procedurale – penale në Kosovë, ky ndikim është i dyfishtë: derisa në Kodin penal të Republikës së Kosovës, ndikimi i përket gjuhës dhe në masë të caktuar është manifestuar me shprehje nga gjuha angleze, në Kodin e procedurës penale, ky ndikim manifestohet edhe në vetë substancën e procedurës penale.
Koha është duke e dëshmuar se përdorimi i shprehjeve të huaja në gjuhën shqipe shumë herë është nevojë, sepse duke i parë ndikimet në këto dy kode, shohim se, megjithatë, gjuha shqipe nganjëherë nuk mjafton. Si rrjedhojë, huazimet gjuhësore paraqesin “shpëtimin” e vetëm. Dhe kjo duhet të zgjasë vetëm për një kohë, dhe atë, derisa të “gjendet” shprehja në gjuhën shqipe. U mbetet gjuhëtarëve, në radhë të parë dhe studiuesve të sferës penale në përgjithësi që t’i “krijojnë”, që t’i “zbulojnë” dhe më pas t’i nxjerrin në përdorim shprehjet, të cilat medoemos duhet të jenë shqipe dhe të cilat në mënyrë të saktë përkojnë me kuptimin, pa lënë mëdyshje, kur kemi parasysh këtë sferë shumë delikate të së drejtës. |
en_US |