dc.description.abstract |
Nisur nga fakti që sporti paraqet vlerë kulturore dhe shpirtërore të çdo shoqërie dhe civilizimit njerëzor, dhe si i tillë kërkon një trajtim më të thellë dhe shumëdimensional të hulumtimit të faktorëve dhe fenomeneve të cilët janë të ndërlidhur me sport dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në shkallën e zhvillimit të sportit në mjedise dhe në shoqëri të caktuara. Sporti kosovar, si çdo veprimtari tjetër, ka kaluar në fazën e vështirë të rrethanave të krijuara si në periudhën e paraluftës po ashtu edhe të pasluftës. Si rezultat i këtyre rrethanave sporti ka ngecur akoma në nivel jo të kënaqshëm dhe vazhdon të shoqërohet me fenomene të cilat janë brengosëse dhe dëmtojnë jo vetëm imazhin e sportit por edhe të vetë shoqërisë kosovare. Njëra ndër dukuritë më të shëmtuara që vazhdon edhe më tej të jetë shumë e pranishme dhe në përmasa të theksuara, është dhuna në spektaklet sportive, e cila paraqitet në forma të ndryshme dhe nga akterë të ndryshëm. Edhe pse për dhunën dhe dëmin që shkakton sporti, dhe imazhit të tërësishëm, është folur dhe debatuar mjaft, trajtimi i saj akoma nuk është bërë në formën e duhur profesionale dhe shkencore, dhe nuk janë bërë përpjekje institucionale që të hulumtohen shkaktarët të cilët janë burimi i kësaj dukurie.
Duke u nisur nga ky fakt, ekspertët e lëmit të Kulturës Fizike dhe Sportit, duhet të krijojnë qasje shkencore dhe institucionale të hulumtimit të kësaj dukurie. Qendra për Studime – Hulumtime në Sport, ka hartuar një projekt hulumtues i cili kryesisht është i bazuar në mbledhjen e opinioneve nga akterë dhe kategori të ndryshme të cilët janë drejtpërdrejt të involvuar në sport dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë janë të përfshirë në ngjarjet e dhunshme në spektaklet sportive. Për këtë qëllim është përpiluar pyetësori, i cili ka për qëllim grumbullimin e opinioneve të akterëve kryesorë në sport, siç janë: simpatizuesit, sportistët, pedagogët (trajnerët), gjyqtarët – arbitrit, donatorët, menaxherët e klubeve, përfaqësuesit e Federatave Sportive dhe Komiteti Olimpik Kosovar. Projekti përfshinte numrin prej 800 të anketuarve nëpër të gjitha qytetet e Kosovës, dhe opinionet e grumbulluara nga të anketuarit kanë ofruar një bazë të mirë të informacioneve dhe orientimit të një projekti më të gjerë, i cili do të ndihmonte në elaborimin më të thellë të shkaktarëve dhe do të ndihmonte në hartimin e një strategjie për parandalimin dhe flakjen e dhunës në tërësi nga fushat tona sportive. |
en_US |