dc.description.abstract |
Qeverisja korporative sipas parimeve e standardeve të ekonomive të tregut të njohura si parimet e Organization of Economic Cooperation and Development (OECD), duhet të sigurojë rritjen e vlerës së aseteve të kompanive. Veç kësaj, ajo duhet të sigurojë një përfaqësim të drejtpeshuar të interesave të aktorëve (palëve të interesuara), para së gjithash, pronarëve, menaxhmentit dhe punonjësve. Një nga problemet qenësorë me të cilin ballafaqohen ndërmarrjet e reja private dhe ndërmarrjet e krijuara nëpërmjet privatizimit, është korporatizimi i tyre ose krijimi i strukturave moderne të qeverisjes korporative, të cilat siç trajtohen në këtë punim, kanë rëndësi parësore për rritje të këtyre kompanive, për qëndrueshmërinë e tyre, për qasjen në kapital dhe për atraktivitetin e tyre për investime. Arritja e këtyre standardeve në ekonomitë në tranzicion po provohet të jetë mjaft problematike sidomos në ekonomitë në tranzicion në Evropën Lindore dhe Evropën Juglindore. Diskutimet teorike dhe hulumtimet empirike konstatojnë se problemet nuk kanë të bëjnë aq me kornizën ligjore sesa me me zbatimin e tyre, e sidomos me mjedisin institucional dhe problemet që kanë këto shtete me zbatimin e ligjit si dhe me korrupsionin. Në këtë punim bëhet një vështrim i diskutimeve teorike për problemet specifike të qeverisjes korporative në këto vende dhe pastaj në bazë të burimeve sekondare dhe studimeve empirike në rastin e Kosovës, bëhet një analizë e shkurtër krahasuese e zhvillimeve në këtë fushë në Kroaci, Bullgari, Shqipëri dhe Kosovë. Përfundimet e nxjerra nga kjo analizë dalin të jenë në linjë me diskutimet teorike. |
en_US |