dc.description.abstract |
Fushata elektorale ka si protagonistë kryesorë formacionet politike dhe kandidatët që garojnë dhe përmbajtjet e mesazheve, ideve dhe propozimeve të tyre dërgohen tek publiku i gjerë kryesisht përmes mediave, klasike dhe të reja. Roli dhe ndikimi mediatik është i pazëvendësueshëm për informimin e qytetarëve, për sa më shumë transparencë në strategjitë partiake dhe individuale, për të kuptuar qartë çfarë artikulojnë rivalët që kërkojnë votën, ku janë dallimet mes krahëve në atë që premtojnë për rrugëzgjidhje të menjëhershme a afatgjatë, profilet e kandidatëve, stafet që i mbështesin, burimet e financimit etj. Ky fluks informativ dhe analitik krijon opinione, duke ndihmuar drejtëpërdrejt perceptimet dhe vendimet e duhura tek qytetarët me të drejtë vote. Siç shprehet dhe McNair, “mediat jo vetëm sigurojnë dije njohëse duke na informuar neve për atë që po ndodh, por ato gjithashtu klasifikojnë dhe strukturojnë realitetin politik duke përcaktuar nëse ngjarjet janë më pak apo më shumë domethënëse në bazë të pranisë ose mungesës së tyre në programin e medias.”1Mënyra se si ofruesit e shërbimit mediatik audioviziv mbulojnë një fushatë elektorale ka qenë dhe mbetet objekt diskutimi në favor të përmirësimit të performancës së tyre, në plotësim të kërkesave profesionale dhe deontologjike nga ana e redaksive. Vlerësimi dhe analiza për subjekte të veçanta, ose për tregun nëpërgjithësi bëhet në bazë të monitorimeve të përmbajtjeve të emetuara. Kjo nuk është bazë vetëm për realizimin e studimeve dhe kërkimeve në gazetari dhe shkencat e komunikimit, apo për debate të thelluara profesionistësh brenda komunitetit të gazetarëve si dhe në publik. Gjithashtu bazuar tek rezultatet e monitorimit se si operatorët radio e televizivë mbulojnë fushatën elektorale gjykohet dhe votohet mbi devijancat ligjore, të cilat janë premisë për vendime që përmbajnë tërheqje vëmendjeje, a sanksione: nga gjobat, deri tek ndërprerja e transmetimit dhe më tej akoma, sekuestrimi i të gjithë inventarit teknik dhe teknologjik të një stacioni në transmetim.
Ky punim ka në fokus kryesor aspekte të procesit të monitorimit të mediave audio dhe audiovizive gjatë proceseve elektorale në Shqipëri, tipare dhe dukuri të bartura apo të reja, duke iu referuar konkretisht rastit të fushatës për zgjedhjet vendore të 21 qershorit 2015. Duke trajtuar metodologjinë e aplikuar, mënyrën e menaxhimit, çfarë pjese të tregut përfshin, përllogaritja e indikatorëve të pasqyrimit të fushatës, në kohëzgjatje dhe në përmbajtje të informacionit dhe mesazheve që adresohen tek publiku etj. Duke evidentuar dhe analizuar dinamikën konkrete të mënyrës se si funksionon dhe sa efekt jep infrastruktura monitoruese, punimi është dhe një përpjekje për propozime dhe ide që përmirësojnë gjendjen, në arritjen e një monitorimi gjithëpërfshirës dhe cilësor, në përgjigje dhe të procesit të kalimit të transmetimeve audiovizive nga analogu në digjital. |
en_US |